Ka nisur të frekuentohet si plazh vetëm pas viteve 90. Më parë ishte një zonë ushtarake ku nuk lejohej askush të shkonte. Ky plazh me vijë bregdetare 3 km është një prej zonave më të kërkuara dhe thuajse të gjitha plazhet janë private që administrohen nga operatorë turistik. Zona publike është vetëm vija bregdetare pranë monumentit të natyrës Rana e Hedhun, nga i cili ka marrë emrin krejt zona.
Rana e Hedhun nuk afron turizëm masiv dhe nuk ka shumë hotele. Plazhi arrihet në këmbë pasi keni lënë makinën në një prej vendparkingjeve të operatorëve turistikë.
Përgjatë vijës bregdetare gjenden baret, beach baret, restorantet, hotelet dhe kampingje ndër më të mirat dhe shumë të frekuentuara. Çdo fillim qershori, në plazhet e Ranes së Hedhun, zhvillohet festivali më i madh i muzikës elektronike UNUM. D.J ndër më të njohurit në botë luajnë muzikë përgjatë 24 orëve në 4 ditë. Turistët e huaj, kryesisht të rinj, janë vizitorët e këtij festivali duke e bërë Lezhën epiqendër të turizmit në Shqipëri.
Rana e Hedhun thjesht mund t’ju sigurojë qetësinë dhe izolimin që po kërkoni. Këtu, notimi është një ndjesi e bukur në ujërat e pastërta dhe mbi kokë të qëndron hija e malit plot me bimësi. Të shumtë janë ata që i ngjiten malit dhe sodisin krejt panoramën e bukur që të afrohet në këtë zonë bregdetare. Nga lartësia e malit të Rrencit do të mund të shikoni përtej në horizont nga Durrësi derui në Ulqin.