Në juglindje të qytetit të Lezhës ngrihet maja shkëmbore e Akrolisit, 408 m mbi nivelin e detit. Fillimisht përmendet si një kështjellë përforcuese e sistemit mbrojtës të qytetit të Lisit. Kurora e saj ka qënë rrethuar në lashtësi prej një muri të gjatë dhe dy kulla me gurë të palatuar, duke formuar aty një kështjellë mjaft të mbrojtur.
Akrolis vjen nga greqishtja e vjetër dhe do të thotë “Lisi i Sipërm”.
Në burimet historike të kohës së lashtë përmendet me emrat Lis, Lissos, Lisson dhe ftillëzimi i historisë njerëzore në këtë qytet gjallon që në periudhën historike, epokën e bronxit dhe të hekurit. Materialet arkeologjike të zbuluara në Blinisht, Troshan, Spitën, Kallmet, Torovicë e Malësi të Lezhës, flasin për një cikël vendbanimesh parahistorike të etnosit ilir.
Formën e plotë të një qyteti të zhvilluar Lisi e mori në kohën e përfundimit të sistemit mbrojtës të tij, aty nga fundi i shek.IV ose fillimi i shek III para Kr. Ndërtimet mbrojtëse të Lisit ishin sa të fuqishme për nga konstruksioni dhe teknika e ndërtimit, aq edhe madhështore në pamjen e tyre.
Nisur nga ky këndvështrim mund të thuhet se Lisi ishte në radhën e parë të qyteteve më të mbrojtura e më të mëdha të të gjithë Ilirisë dhe sistemi fortifikues i tij ishte më i fuqishmi. Lisi funksionon si qytet bregdetar dhe njëkohësisht si limani më jugor i shtetit të Ardianëve.
Qyteti vazhdon të jetë qendër e rëndësishme edhe në kohën e sundimit të mbretëreshës ilire Teuta. Qyteti i Lisit dhe fortifikimi i tij, Akrolisi, përmenden për hërë të parë në burimet historike nga Polibi, historiani grek i shek.II para Kr. Sipas tijë, Filipi i V-të, mbret i Maqedonisë, shpresonte të shtinte në dorë Lisin dhe Akrolisin.
Për realizimin e këtij plani strategjik ai u nis me një ushtri të madhe dhe mbas një udhëtimi prej dy ditësh, qëndroi pranë lumit Ardoksan, afër qytetit të Lisit.
Pushtimi i Lisit dhe Akrolisit do të ndodhte pikërisht në vitin 213 para Kr., pushtim i cili ishte pjesë e planeve strategjike të Filipit. Ai mendonte të krijonte paraprakisht një rrugëdalje të maqedonasve për në bregdetin Adriatik. Njëkohësisht në Lis të krijonte baza detare nga ku mund të hidhej përtej detit dhe të sulmonte romakët në tokën e tyre.
Në luftën iliro-romake caktohen 11 porta (të mëdha e të vogla) që lejonin hyrjen në të gjitha drejtimet. Prej tyre 2 janë në anën e sipërme, 6 në të mesmen dhe 3 në anën e poshtme. Në pjesën e sipërme porta kryesore ka qenë në anën lindore për të komunikuar me Akropolin, e dyta në anën veriore që e lidhte qytetin me zonën fushore. Ajo më e madhja ishte portë me një hapësirë drite 4,2 m dhe me një zgjidhje planimetrike krejt të veçantë në krahasim me tjerat. Zgjidhja e tyre arkitektonike dhe funksionet përkatëse janë përshtatur me terrenin.
Skema e mureve mbrojtëse përfshin një gjatësi 2600 m, ku Akropoli, pjesa e sipërme është pjesa më speciale e fortifikimit. Nga një përllogaritje e thjeshtë mendohet të jenë mbi 80.000 copë blloqe të latuar me afro 100.000 m3 gurë, një vepër ndërtimore inxhinierike ndoshta e pashembullt në mbarë trojet shqiptare.
Lezha gjate pushtimit romak
Mbas pushtimit romak të Ilirisë së Jugut, me 168 para Krishtit, Lezha përmendet si “Municip”. Ajo e ruan rëndësinë si qendër ushtarako-administrative dhe si bazë detare për Adriatikun verior. Gjatë kësaj periudhe pati disa rindërtime të rëndësishme të qytetit ilir.
Rindërtimi romak i qytetit ka qënë i pjesshëm. Janë zbuluar dy mbishkrime ne latinisht, që bëjnë fjalë për këtë rindërtim. Mbishkrimi i parë i gjetur në Portën e Gaviarit, bën fjalë për rindërtimin e portës dhe të kullës. Në mbishkrimin e dytë, flitet për rindërtimin e murit. Një mbishkrim i tretë është gjetur i dëmtuar, ndërsa mbishkrimin e IV flet për rindërtimin e mureve rrethuese prej të njëjtëve magjistratë romakë.
Rezulton se rindërtimi romak i mureve është bërë 250 vjet pas fortifikimit ilir. Në periudhën romake pati ndërtime të tipit termal me sistem hidraulik të zhvilluar, si dhe përdorimi i teknikave “Okus retikulatum” apo dhe thjesht “Retikulatum” të shek.I-II pas Krishtit.
Lezha në Antikitetin e vonë dhe periudhën bizantine
Lezha, në shekujt e parë pas Krishtit nuk u zbeh si qendër qytetare. Administrativisht bënte pjesë në provincën e Prevalit, që kishte si qendër Shkodren. Në periudhen e vonë antike Lezha gjendet në mes dy rrugëve, asaj që lidhte Salonen me Dyrrahun dhe asaj që niste nga Lezha drejt qytetit Nais.
Kështjella është në listën e rindërtimeve të mëdha të Perandorit ilir Justiniani i Madh. Rindërtimet e kësaj kohe janë të dukshme dhe qyteti bizantin i Lezhës hyn të qendrat më të mëdha të kohës. Ajo kthehet në një qendër episkopale dhe permendet me emrin i peshkopit Gjon në vitin 592.
Lezha ne shekujt VII-XII
Kronikani i njohur si Anonimi i Ravenës e përmend Lezhën në shek.VII-VIII si qytet bregdetar ilir. Në këtë periudhë ka ndodhur procesi më i rëndësishëm i transformimit të ilirëve të lashtë ne arberit e hershëm. Ka dhe një rifortifikim tjetër të qytetit në fund të shek.VIII.
Ndërtohen kulla të reja dhe perdoren teknika të reja. Keshtjella e Lezhës, përbën një simbiozë të ndërtimeve ilire, romake dhe bizantine. Në periudhën bizantine flitet për rëndësinë e madhe të qytetit të fortifikuar të Lezhës.