Monumente Natyre

Në Lezhë të apasionuarit do të gjejnë disa prej monumenteve që natyra ka gdhendur ndër shekuj dhe kanë një rëndësi të veçantë për vlerat e tyre historike, shkencore, estetike apo turistike. Sipas klasifikimit të IUCN, ato bëjnë pjesë në kategorinë e III të zonave të mbrojtura. Ato shtrihen pothuajse në të gjithë sipërfaqen e saj.


1. Gjeomonumente

 

a. Rana e Hedhun

 

Ndodhet në veriperëndim të portit të Shëngjinit, rrëzë malit të Rencit. Është grumbullim i madh rëre në një bregdet të lartë shkëmbor që formon një kënd 70 gradë me detin. Është 600 m e gjatë, rreth 100 m i gjerë. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorgologjike), ekologjike, kulturore, didaktike dhe turistike.

 

b. Shpella e Hutit.

 

Ndodhet në afërsi të fshatit Grykë, NJ.A. Kolsh, 310 m mbi nivelin e detit. Është shpellë karstike në gëlqeroret e kretës së sipërme me gjatësi 16 m, gjerësi 8 m e lartësi 11 m. Ka konkrecione të shumta dhe me bukuri mahnitëse, vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, didaktike, ekologjike dhe kulturore.


c. Shpella e Sukës së Vogël.

 

Ndodhet në afërsi të fshatit Petran, në lartësinë 460 m mbi nivelin e detit. Ajo është një shpellë karstike e formuar në gëlqerorët e Kretës së sipërme. Shpella është e gjatë 40 metra, e gjerë deri në 16 m dhe e lartë 5 m. Në këtë
shpellë ka konkrecione të shumta dhe me bukuri mahnitëse. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), didaktike, ekologjike dhe kulturore.


d. Dritarja tektonike e Manatisë.

 

Gjendet në juglindje të fshatit Manati NJ.A Kolsh, në lartësitë 80 – 600 m mbi nivelin e detit. E veçanta e saj është se, si pasojë e proceseve të ndërlikura gjeologjike, këtu nënzona tektonike e Spitenit del në brendësi të zonës tektonike të Krastës. Formacionet karbonatike të saj formojnë një brahiantiklinal të shtrirë. Vizitohen me rrugën Manati-Grykë-Kolsh.



2. Hidromonumente

 

a. Këneta e Kashtës.

 

Ndodhet në bregdet, në jug të Shëngjinit NJ.A. Shengjin, pjesë e territorit të rezervës natyrore të menaxhuar “Kune – Vain – Tale”. Përbën një lagunë të vogël interesante të formuar nga akumulimet lumore e detare. Është e gjatë rreth 850 m dhe e gjerë rreth 400 m. Ky ekosistem ligatinor dallohet për florën e faunën e pasur. Ka vlera shkencore biologjike, ekologjike, didaktike.

 

b. Rivat e Drinit.

 

Ndodhen në afërsi të fshatit Ishull Shëngjin, pjesë e territorit të rezervës natyrore të menaxhuar “Kune – Vain – Tale”. Përbën një habitat ligatinor karakteristik të shoqërimeve të marinës që ndërthuren me pellgje të shumta uji. Dallohet për botën e pasur shtazore, në të cilën shquhen shpendët ujorë, midis tyre edhe të rrezikuar për t’u zhdukur. Kanë vlera shkencore (biologjike dhe
ekologjike), kulturore, didaktike dhe turistike.

 

3. Biomonumente

 

a. Rrapi i Grykës.

 

Gjenden në luginën e përroit të Manatisë, NJA Kolsh, pranë fshatit Grykë. Janë drurë rrapi, dy me trung gati të bashkuar. Njihen si “Rrepet e Kuvendit të Burrave”. Lartësia e tyre arrin deri në 15 m, diametër deri në 230 cm dhe ndodhen 3 m larg shtratit të perroit. Këtu vazhdimisht mblidheshin burrat për të diskutuar problemet e fshatit, apo për mbështetjen që duhet të jepnin në luftën kundër pushtuesve të huaj. Kanë vlera historike, estetike, biologjike etj.

 

b. Rrepet e Kolshit

 

Ndodhen pranë fshatit Kolsh NJ.A. Kolsh dhe përroit me të njëjtin emër. Janë një grup rrepesh me lartësi deri 20 m, diametër të trungut deri 1 m, ndërsa kurorat e tyre shpesh pleksen midis tyre. Kanë vlera të veçanta natyrore, biologjike dhe estetike për peizazhin luginor.

 

c. Rrapi i Pirajve.

 

Ndodhet në fshatin Piraj, NJ.A. Blinisht dhe ka një moshë rreth 600 vjeccare. Përfaqëson një ndër pemët më të mëdha në vendin tonë i cili mbrohet me ligj. Perimetri i trungut është 9.40 m, diametri i kurorës rreth 40m dhe lartësi mbi 20 m. Kurora e saj është shumë e bukur dhe ka pamje impozante në mjedisin fushor ku ndodhet.

 

d. Lisi Markatonajt.

 

Ndodhet në varrezat e fshatit Zejmen, NJA Zejmen. Ka dy degëzime në lartësinë rreth 1,3 m nga toka. Diametri i çdo trungu është rreth 0,80 m, lartësia arrin 10-12 m. Vizitohet duke marrë rrugën automobilistike Lezhë – Milot.

 

e. Pylli i Shën Mërisë

 

Me sipërfaqe rreth 1 ha, pylli gjendet në lindje të fshatit Kallmet i Vogël, NJ.A. Kallmet, midis lartësisë 400 – 440 m mbi nivelin e detit. Përbëhet nga drurë dushku dhe rrethon kishën e Shen Eufemisë. Lartësia e drurëve arrin 10-12 m, mosha e tyre nga 95-105 vjet.

Related Posts