Udhëtim që të jep shije natyre, kulture, histori dhe të bën të njohësh traditën e ketyre anëve.
Hiking, eksplorim, eskursion, alpinizëm dhe kamping janë zgjedhjet që mund të kesh nëse ke zgjedhur ti ngjitesh malit të Rrencit, 387 m mbi nivelin e detit. Itinerari përfshin të gjithë kurrizin e masivit malor që ndodhet ndërmjet qytetit të Shengjinit (Lezhe) dhe fshatit bregdetar të Rrjollit – Velipojë(Shkodër). Takimi i parë është fshati i braktisur i Rrencit për të vijuar drejt kishës së Shen Nikollit (pranë majës së Rrencit) dhe pranë saj ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shen Pjetrit.
Ndërsa lëviz nëpër malin e Rrencit, do të shohësh vazhdimisht Tumat piramidale Ilire (kodër-varret) e tipit Dalmatin, 3500 – 4000. Ndërsa i afrohes majës së malit, poshtë saj do të kesh peisazhin më të bukur që ta ofron Rana e Hedhun ndërsa fushëpamja shkon që nga Kepi i Rodonit (Durrës) deri tek qyteti i Ulqinit (Mali i Zi).
Në lashtësi ky territor ndodhej ndërmjet Fiseve – Ilire të Labeateve dhe Pirustëve. Historia e popullsisë që ka banuar në këtë zonë vazhdon paralelisht me atë të qytetit-port të Shengjinit. Emri Renesi(Rrenci) shfaqet për herë të parë në dokumentat e Republikës Veneciane në vitet 1416-1417.
Ky vendbanim sot i braktisur, ka qënë populluar nga banore të rinj të vendosur këtu gjatë fillim shekullit XVII-të. Ishin këta banorë që rindërtuan kishën e rrënuar të Shen Magdalenës duke e pagëzuar me emrin e shejntorit të tyre, Shen Nikolli. Kjo kishtë ka qënë rindërtuar në vitin 1629 nga Ipeshkevi i Lezhës, Benedikt Orsini, ndërsa këmbanorja është shumë më e vonë dhe kjo dëshmohet nga arkitrau monolit gjysëm rrethor që ndodhet mbi portën e këmbanores ku është gdhendur viti 1936.
Mali i Shëngjinit
Mali i Shëngjinit fillon mbi qytet (tek porti) dhe vazhdon deri në lartësinë rreth 330 m mbi nivelin e detit. Këtu ka pyje artificialë me halorë mesdhetarë (të mbjella rreth 40-50 vite më parë) si dhe formacione të pyjeve me shkurre mesdhetare natyrore, ku dominon shega e egër, por gjenden dhe driza, murrizi, lajthia, thana, etj. Së fundi në këtë mal janë zbular dhe disa tuma ilire (kodër varret e tipit Dalmatin) që datojnë 3-4 mijë vjet më parë. Kërkimet arkelogjike vazhdojnë. Ky destinacion arrihet lehtë me këmbë, në shtigje të shkelura. Ka çeltira në pyll që shërbejnë si vendpushime për vizitorët.
Mali i Rencit
Vijon pas malit të Shëngjinit. Ndodhet 387m mbi nivelin e detit dhe përfshin të gjithë kurrizin e masivit malor që ndodhet ndërmjet qytetit të Shëngjinit (Lezhë) dhe fshatit bregdetar të Rrjollit (Velipojë – Shkodër). Udhëtimi në këtë mal është një kalim mes historisë, kulturës e natyrës tejet interesante. Krahas bimësisë që përshkon të gjithë zonën në këto anë ndodhen edhe disa objekte kultit si Kisha e Shën Nikollit ( pranë majës së Rrencit) apo rrënojat e kishës së Shën Pjetrit. Është nje rrugëtim i përshtatshëm për ata që pëlqejnë dhe përballojnë udhëtimet e gjata në natyrë disi të vështirë.
Në këtë udhëtim mund të shohësh formacionet më të mëdha me bulgër (Quercus trojana) që zhvillohen sot në Shqipëri. Ka dhe drurë të tjerë si frashër, caracë, cërmëdel, krifshë, panjë dhe shumë bimë barishtore që durojnë thatësirën. Mund të takohen dhe kafshë si: dhelpra, lepuri, vjezhdulla dhe shumë shpendë. Në terrene të veçanta të malit dallohen rrënojat e vendbanimeve të disa lagjeve dhe fshatrave që tashme jetojnë afër qyteteve Lezhë dhe Shëngjin. Lëvizjet në mal mund të bëhen dhe jashtë rrugëve këmbësore (duke dalë në pika të larta), pasi bimësia është më e rrallë, kështu fushëpamja është më e madhe.
Maja e Zezë
Është pika me lartë në malin që e lidh Shëngjinin me Velipojën. Atyre që u pëlqën ecja në mal, mund të ngjiten drejt veriut kur janë tek Rana e Hedhun. Pasi lë detin dhe rërën, arrin në Majën e Zezë. Prej aty, mund të shijosh ajrin e pastër, bimësinë mesdhetare ku veçohet bulgri, shega, frashri, panja, etj. Hapsira pafund në horizont do të mund të shohësh që nga Ultësira e Shkodrës deri në Kepin e Rodonit. Rruga në ngjitje është pak e vështirë, por mjedisi nga ku kalon, ajo është mjaft mbresëlënës, përvçse mjaft drurëve dhe shkurreve mesdhetare, mund të vizitosh dhe “Logun e Zanave”, të shohësh vendbanimet e herëshme të lagjeve që tashmë jetojnë në Ishull-Shëngjin.