Kisha e Zojës Nunciatë

Kisha e Zojës Nunciatë, (Kisha e Dom Lleshit) – Themelimi i kishës së Zojës Nunciatë dhe Manastirit Françeskan bashkangjitur thuhet se lidhen me kalimin në këto anë të Shën Françeskut të Asizit gjatë kthimit nga Toka e Shenjtë në 1219- 1220.

Legjenda thotë se Shën Françesku mori një degë pishe aty ku ishte ndalur për të kaluar natën, në kodrën përballë qytetit të Lezhës, dhe vizatoi themelet e një kishe. Ndërtimi i kishës u përfundua nga një prift nga Lezha, i quajtur Dom Lleshi, ndaj për këtë arsye kisha quhet nga qytetarët e Lezhës edhe sot e kësaj dite “Kisha e Dom Lleshit”.

Në harkun e derës kryesore kishte një mbishkrim latinisht të gdhendur në gur që thoshte “…ky tempull i
vëllezërve Minorë françeskanë u ndërtua në vitin e zotit, 1240”. Sulmi që ushtria turke e Mehmetit II kreu mbi Lezhë me 1478 e dëmtoi rëndë kishën dhe manastirin, por këto shpejt u rindërtuan me shpenzimet e vetë komandantit turk, Ibrahim Pasha.

Në vitin 1591 kisha ishte përsëri në përdorim, ndërsa fretërit ishin transferuar në qytet, në një bujtinë modeste me një kapelë (kishëz) bashkëngjitur. Viti 1892 shënoi kompletimin me një kambanare hijerëndë, të ngritur pranë këndit veri-perëndimor të kishës.

Në fundin e Luftës së Parë Botërore më 1918, pasi e kishte përdorur si qendër shëndetësore, ushtria austriake në tërheqje e sipër, do ta digjte kompleksin dhe Manastiri do të rindërtohej vetëm në vitin 1930, ndërsa kisha do të mbetej pa çati edhe një dekadë më shumë.

Sot, Manastiri i Shën Françeskut dhe Kisha e Zojës Nunciatë janë restauruar tërësisht, duke ruajtur në arkitekturën e tyre krahas veprave të reja edhe të mureve të vjetra që dëshmojnë historinë që kanë kaluar.