Memoriali i Skenderbeut – është vendi ku me 2 Mars 1444 u mbajt “Beslidhja e Lezhës” dhe ku më 17 Janar 1468 u varros heroi kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeu. Ka qënë objekt kulti që është përdorur si kishë dhe xhami në periudha të ndryshme.
Ky objekt që i përket shek.XIV është e tipit bazilikor me gjatësi 17m dhe gjerësi 8m. Në muret e saj ndodhet një afresk i Shën Nikollës. Sipas gojëdhënave në vitin 1478, turqit të cilët pushtuan Lezhën, shkatërruan dhe hapën varrin e Skënderbeut dhe thuhet se eshtrat e tij u morën nga ushtarët dhe të cilët i mbështollën me flori e argjend për ti përdorur si hajmali pwr pathyeshmëri në beteja.
Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës në këtë objekt gjendet edhe absida ku ndodhet i vendosur busti i Skenderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tre harqet mbi derën e kishës. Në mure janë varura 25 mburoja prej bronzi të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut.
Në qendër të katedrales, poshtë vendit që sinifikon varrin e heroit kombëtarë, ndodhet një tjetër kishë dhe një sarkofag prej guri që nuk janë shfaqur ende për publikun. Përbëhet nga dy rradhë gurësh antikë me përmasa të konsiderueshme, të vendosur në formë drejtkëndëshi dhe të lidhur me plumb.
Në këtë hapësirë duhet të ketë qenë e pozicionuar pjesa e poshtme e sarkofagut të punuar në mermer sipas tipologjisë së varreve monumentale. Ajo është e vendosur mbi një objekt të periudhës romake (shek.II, p.k.). Objekti është i konservuar në një dhomë të mbuluar dhe qëndron e tillë prej vitit 1980.
Dhoma e fshehtë e nëndheshme mbetet një mister që ende nuk është zbuluar, ndërsa vijon të jetë kurioziteti i shumë historianëve dhe arkeologëve.