Ushqimi

Nuk mund të thuash se kam vizituar Lezhën nëse nuk ke provuar gastronominë e zonës dhe kreativitetin e shefave të kuzhinës. Vitet e fundit, Lezha është kthyer në destinacionin më të preferuar të vizitorëve e turistëve të huaj për kuzhinën e elauboruar, kreative dhe atë tradicionale që ofrohet në restorante që nisin pranë detit dhe deri tek ato të ndërtuara në zonat rurale.

Ata kanë punuar për identifikimin, ruajtjen dhe promovimin e traditës së gatimeve, vlersimin e produktit lokal të prodhuar nga fermerët duke dërguar në çdo tavolinë pjatat e gatuara me shumë dashuri. Çdo 6 maj në Lezhë organizohet “Festivali i Gastronomisë – Lezha gatuan”, që sjell në sheshin kryesor të qytetit restorantet më të njohur dhe kuzhinierët më të mirë. Zadrima është e njohur për agroturizmin dhe produktin lokal që tashmë është kther në destinacion për shumë vizitorë e turistë. Kuzhinën e peshkut do ta gjeni në disa zona si në Shëngjin, Ishull – Lezhë apo në Tale.

Ndërsa Shengjini ka rëndësi pasi ndodhet në breg të detit ashtu si edhe Talja, fshati turistik Ishull – Lezhë mund të quhet pa frikë fshati i restoranteve të peshkut.

Edhe pse është një fshat i vogël, nuk mund të thuhet kështu për restorantet e peshkut. Numri i tyre është i konsiderueshëm dhe ccdo njëri me veccantinë e tij ka mundur të krijojë profilin unik dhe që vazhdon të tërheqë vemendje.

Mishi dhe peshku gatuhen në mënyra të ndryshme, por secila më veçantinë e saj në shije. Ushqimet që ofrohen në restorante janë kryesisht prodhime të zonave ku ndodhen ato dhe përbëjne një larmi shumë të dëshirueshme. Ata që e duan kuzhinën e elaboruar dhe kreativitet, në Lezhë gjenden disa nga restorantet më të mirë në Shqipëri. Shumë prej këtyre restoranteve kanë pjatat e tyre të veçanta, përzierje mes traditës, kuzhinës italiane dhe çfarëdo ndikimi apo fantazie për të shërbyer disa vakte të paharrueshme, kreativitet i shefave të kuzhinës.

Nga Talja në Vain për të vijuar në Kune dhe në qytetin e Shëngjinit do të keni mundësi të zgjidhni mes shumë restorantesh që sigurisht kanë veçantinë e tyre edhe pse gatimi është vetëm me produkte deti. Restorant “Poseidon” në Tale përbën veçanti pasi peshku është i limituar. Përdoren vetëm prodhime deti që kapet në mënyrë artizanale me rrjeta nga peshkatarët e zonës. Kuzhinieri ju pregatit pjatat më të mira si dhe ndërkohë keni mundësi të shijoni panoramën e një bregdeti që është mjaft i kërkuar vitet e fundit.

“Trandafili Mistik” apo siç njihet ndryshe nga të gjithë “Diella” në Vain është një prej restoranteve që nuk ka nevojë të flasësh për të, pasi tashmë ai ndodhet në agjendën e të gjithë atyre që duan të shijojnë natyrën dhe pjatat njëkohësisht. Byreku me rosë është pjata e veçantë që pregatitet në këtë restorant por mos hezitoni të kërkoni edhe prodhime të tjera deti pasi do të mrekulloheni.

“Restorant Trendafili Mistik”

Në fshatin Ishull Lezhë, rrugë e cila duhet përshkuar për të shkuar tek “Diella”, do të ndeshesh edhe me të tjerë restorante që sigurisht do të ju mahnisin me gatimet e tyre. “Te Hyseni” është një restorant që nuk mund të shmanget, ndaj për të ezauruar kuzhinën e Lezhës duhen shumë ditë. Ish kuzhinieri i të famshmit “Hoteli i Gjuetisë” është arsyeja se përse duhet provuar ky restorant dhe gatimet e tij që janë persosur në shumë vite eksperiencë.

I restaruar dhe rikthyer në lavdinë e tij të dikurshme Hoteli i Gjuetisë dhe restoranti i tij të vendosur në një hapsirë të madhe gjelbërimi janë soditje dhe shije kuzhine. Natyra ka krijuar peisazhin më të bukur duke bërë që viziorët e saj të kenë dëshirë të shtuar për t’u rikthyer.

“Hoteli i Gjuetise”

Në këtë zonë mund të provosh edhe të tjerë restorante që pavarsisht famës së munguar, pjatat e tyre janë surprizuese dhe të shijshme. “Sebastiano” me pjatën e tij të personalizuar të Tavës së Ngjalës është tunduese. Natyra që e rrethon këtë restorant, komoditeti dhe qetësia janë motiv që e kanë bërë atë mjaft të kërkuar. Këto shije gjenden thuajse në çdo restorant të zonës së Ishull – Lezhës.

Ndërsa do të marrësh rrugën drejt Shengjinit, në vetëm 7 km që duhen përshkuar do të ndeshesh me restorante që gatimet e detit thjesht janë ndër më të mirat. Në zonën e Hidrovorit, Ishull Shëngjin, restorant “Peshkatari” duhet të jetë ndalesë për çdo person që ka në fokus shijen e kuzhinës së detit. I ndodhur pranë ujit të lagunës, ky restorant, do të sjellë pjata shumë të shijshme ndërsa shijoni edhe peisazhin e natyrës që vetëm laguna e Kunes mund të u’a ofrojë.

“Restorant Peshkatari”

Në një distancë fare të shkurtër, ndërsa keni udhëtuar vetëm 3 km në drejtim të Shengjinit duhet të ndaloni sërish. Mikëpritësi, chef Alfred Marku, do të ju servirë pjata kreative të peshkut dhe mishit, por gjithmonë kërkoni shpjegime për të kuptuar ndryshimin e shijes së produktit në shijen e pjatës. Restorant Rapsodia, është e gjitha kuzhinë kreative me shije që sigurisht nuk mund të gjendet askund.


“Restorant Rapsodia”

Ndërsa keni mbërritur në Shengjin, pjatat e peshkut kanë nisur të shtohen, shija e tyre është e ndryshme dhe mjaft e pëlqyer. Mos u habisni nëse “Detari” do të jetë sugjerimi kryesor kur bëhet fjalë për pjata peshku. Ky restorant është destinacion i shumë vizitorëve në Shengjin.

Përgjatë bregdetit, disa restorante që sherbejnë edhe si zgjedhje për të kaluar momente të veçanta, me siguri do të duhet të frekuentohen. Me emër të veçantë “Restorant Ara” mbetet ndër më të frekuentuarit nga të rinjtë, ndërsa mbetet mjaft i pëlqyer nga të huajt. Makaronat e prodhuara në mënyrë artizanale, peshku dhe perimet janë shije që në këtë restorant kanë veçantinë e tyre.

“Bar – Restorant Ara”

Po ndërsa peshku mund të jetë shkrirë i gjithi në pjatat e restoranteve të Tales, Shengjinit, Ishull Lezhës e Ishull Shengjinit, duke lëvizur drejt Zadrimës mishi dhe gatimet tradicionale do të jenë në pjatën tuaj.

Fishta është destinacioni kryesor, Restorant “Mrizi i Zanave – Agroturizëm” thjesht qëndra e këtij destinacioni.

“Restorant Mrizi i Zanave Agro – Turizem”

Prodhime të zonës, prodhime të fermës së Mrizit, kuzhinë me produkte të stinës, shëtitje në natyrë dhe shije gatimi dhe menjëherë do të kuptoni se përse ky restorant është ndër më të kërkuarit në Shqipëri. Chef Altin Prenga i ka dhënë kuptim edhe më të madh ushqimit Slow Food.


“Restorant Oazi – Fishte”

Edhe pse nuk kanë madhështinë e Mrizit, në zonë ndodhen edhe tre restorante të tjerë që në kanë kuzhinë të shijshme me prodhime po të zonës dhe ndërthurur me gatimet tradicionale. “Oazi” është vërtetë oaz duke u vendosur pranë liqenit të fshatit Fishtë dhe duke shërbyer pasionin e kuzhinierit Gjovalin Zeka që e ka bërë këtë restorant të jetë mjaft i kërkuar.

Duke mbetur në Zadrimë, por duke lëvizur në drejtim të fshatit Troshan do të ndeshemi me Restorant “Hylli i Dritës”, ballkoni i zadrimës, që ka krijuar pjatat e tij të veçanta ndërsa ferliku është qershia mbi tortë. Fatmir Ndoj, shefi i kuzhinës, i ka dhënë veçantinë e tij restorantit që njeh vetëm rritje.


“Restorant Hylli i Drites – Troshan”

Mbi kodrën e fshatit Troshan tashmë është vendosur restoranti që ka ndryshuar edhe mënyrën e të konceptuarit e këtij turizmi shumë të kërkuar në Lezhë. “Hani i Lekës” është qetësia më e mirë nëse po tentoni ti shmangeni zhurmës dhe përditshmërisë.

Lezha është shije në kuzhinë dhe dëshirë për t’u eksploruar.

Zgjedhjet më të mira.
Bregdetit: Ngjala, shpendet e eger (rosa), pulhine, qefulli, levreku, koca.
Zadrime: Mishi i kecit, mishi i derrit, byrekë, pagace, laknuri,
Produktet lokale që prodhohen në Lezhë: Vaji i Ullirit, vera kallmet, grosha e Kallmetit, peshku, turshitë e ndryshme, djath disa llojesh, komposto të ndryshme, reçelna të ndryshëm.

autor: Gjergj FIGURI

Related Posts