Ecje në male

Pushuesit dhe vizitorët që do të zgjedhin Lezhën, do të kenë mundësi të realizojnë edhe ecje në mal. Vetëm pak km nga qendra e qytetit do të nisni ngjitjen drejt malit të Rrencit apo majës së Velës.

 

Drejt malit të Rrencit është një shteg mjaft interesant që përshkon kurrizin malor të një zone që më parë ka qënë e banuar duke shijuar pamjet e mrekullueshme që natyra ka krijuar. Për ta bërë më të lehtë udhëtimin, që mund të bëhet në kembë, me biçikletë mali, motora apo fuoristrada, orientimi juaj do të jetë nëpërmjet disa tabelave ekologjike dhe shenjuesve në drurë dhe gurë.

 

Janë 16 km shteg për të patur një udhëtim që do të mbërthejë kureshtjen tuaj gjatë gjithë kohës.

 

Në kthim, ndërsa keni pushuar në livadhet e shumta, do të përshkoni një kurrizore poshtë të cilit shtrihet plazhi i mrekullueshëm i Ranës së Hedhun dhe kaltërsia e detit do të ju mbushë pamjen.

 

Ngjitja në malin e Velës është më shumë se ecje në natyrë apo edhe alpinizëm. Drejt lartësisë mbi 1172 metra mbi nivelin e detit është kthyer në destinacion për shumë alpinistë apo ata që pëlqejnë ecjen.

 

Një ecje që mund të kryhet gjatë ditës për 3.5 orë e po aq në zbritje. Mund të bëhet brenda ditës dhe është 45 minuta nga Tirana. Pamja është shumë e bukur dhe në kthim mund të zgjidhni destinacione interesante të turizmit rural apo agroturizmet në Troshan, Kallmet e në Katund i Vjetër në Mirditë.

 

Megjithëse jo shume i lartë, vendodhja e këtij vargmali e ka theksuar rëndësinë historike të këtij rajoni. Ngjitja fillon gati nga niveli i detit dhe arrin shumë shpejt në lartësinë 1172 metra.

Related Posts