Pllana është një fshat në Njësinë Administrative të Zejmenit në Bashkinë e Lezhës. Ky fshat, që për disa historianë është thirrur Basania, ka qënë një qytet ilir i zhvilluar në shek VI-IV p.e.s. që hyn në 50-të qytetet e humbura ilire. Pllana sot tregon gjithçka ç’ka mbetur nga një fshat që e ka fshirë historia. Në këtë fshat të vogël dhe me mjaft kuriozitete për t’u zbuluar ruhen tradita që nuk përsëriten në asnjë zonë tjetër. Thuhet se ky qytet ilir që i përkiste Kurbinit ishte Shufadaja (dikur port ku ankoroheshin anijet).
Gojëdhat tregojnë së këtë fshat gjatë periudhës ilire ankoroheshin anije, pretendime qe forcohen nga gjetja e një spirancë e madhe. Në Pllanë gjenden disa objekte kulti që kanë rëndësi historike, por në to zhvillohet edhe peligrinazh. Kisha e Shna Ndout është një vend lutjesh për shumë besimtarë gjatë 13 të martave të Shna Ndout (mars – qershor).
Në Pllanë është hapur shkolla e parë shqipe nga kisha katolike. Pranë kishës së Shen Barbaras në kodren e fshatit është ngritur edhe një permendore, ndërsa vetë kisha është një objekt i vizitueshëm për vlerat e saj.
Maja e Kunorës (një majë mali mbi fshatin Pllanë) është një destinacion turistik për t’u eksploruar. “Qyteti nën shkëmb”, tunele të shumta të ndërtuara nga ushtria astro-hungareze janë një udhëtim sa tërheqës aq edhe interesant për të mësuar më shumë për rëndësinë që kishte zona.
Maja e malit është e rrafshët dhe përgjatë saj shihen disa gërmadha të godinave të ushtrisë astro-hungareze. Hyrja në tunele është e maskuar mirë, ndërsa në dalje të ndryshme do të të shfaqen horizonte të ndryshme.
Dardha e egër, sherebela dhe trumza janë përdorur nga banorët si bimë medicionale që kanë patur efekt pozitive si pasojë e përdorimit. Fushëpamja është e bukur dhe mjaft interesante për të qënë pjesë e peisazhit në foton tuaj.