Muzika & Piktura

“Fillimi i epokës së re. Kur toka me vete flet. 
Kur muret e dhimbjes u thyen. Me mijëra largohen n’det. 
Kur vetë heshtja kishte zë. Kur ditët u kthyen në netë. 
Dhe kur lindja ish përendimi. Një emër i ri vjen në jetë”.

Këto vargje, për shumë shqiptarë, mund të sjellin në kujtesë periudhën më të dhimbshme te historisë së vonë të shqiptarëve, eksodit masiv drejt Perëndimit. Në të vërtetë, këto vargje i kushtohen lindjes së grupit rock Djemtë e Detit. Grupi më i suksesshëm në historinë e kësaj muzike në Shqipëri duke sjellë tingujt më të bukur që janë shkruar ndonjëherë në muzikën shqiptare.

Djemtë e Detit, ndonëse nuk thirreshin ende me këtë emër, luanin së bashku në qytetin e tyre, në Lezhë, që në vitet ’89-’90, ku kontributin kryesor në themelimin e grupit e mban muzikanti Shkëlqim Rrustja i cili ëndërronte të krijimin e një grup rock.

Për publikun grupi me emrin Djemtë e Detit u paraqit për herë të parë në Festivalin e 30-të të këngës në vitin 1991, me këngën “Ëndrrat që për ty i thura”. Pjesë e një grupimi këngësh me tendencë pak a shumë rock, që disa grupe të sapoformuara kishin sjellë si rebelim ndaj regjimit që ishte duke perënduar. Duhej të ishte vazhdimi i revolucionit rock që ishte tentuar në Festivalin e 11-të, që do të hynte në histori si revolucioni që nuk ndodhi kurrë.

Për të hedhur hapin e duhur në muzikën rock ata duhet të gjenin elementin që mund të plotësonte kapacitetin e grupit. Një shpirt rock që nuk ishte e lehtë të gjindej në një vend si Shqipëria. Kështu, pak muaj më vonë, në vitin 1992, Djemve të Detit do t’u bashkohej Valentin Markvukaj, një muzikant që kishte qenë gjithmonë në miqësi me pjesëtarët e tjerë. Ishte kompozitor e pianist, një muzikant i një kategorie tjetër, elementi i duhur në momentin e duhur. Do të rezultonte elementi vendimtar për krijimtarinë e grupit. Pjesa më e madhe e këngëve të grupit do të mbanin firmën e tij.

Kohezioni me Gentian Demaliajn krijoi binomin që do të shndërronte Djemtë e Detit në një rock band të vërtetë. Në këtë mënyrë grupi do të plotësohej me formacionin origjinal që të gjithë kemi njohur: Këngëtar Gentian Demaliaj, në kitarë Flamur Toska, në bass Shkëlqim Metaj, në keyboard Valentin Markvukaj dhe në bateri Dhori Bllahova.

Djemtë e Detit morën pjesë në shumë festivale, ku fituan shpesh herë edhe çmime të ndryshme dhe duhen kujtuar për muzikën rock që shkruan.

Albumi “Izolimi Vdes”

Në vitin 1997 Djemtë e Detit publikojnë albumin e parë, “Izolimi Vdes”. Një album classic rock që përmban pothuajse të gjitha versionet e këtij zhanri: soft roc, folk rock e hard rock. Këngët e këtij albumi, jo vetëm që do të shndërroheshin shumë shpejt në hite për të rinjtë e viteve ’90, por vazhdojnë të dëgjohen ende sot, pas më shumë se njëzet vitesh nga publikimi.

Kënga “Baladë për Jakup Ferrin” krijoi për herë të parë në historinë e muzikës shqiptare një stil të ri në absolut: një folk-rock. Ndonëse nuk u përsërit në asnjë rast tjetër, do të ishte një revolucion i vërtetë muzikor. Djemtë e Detit bënë me këtë këngë, atë që bënin Led Zeppelin me muzikën e vjetër irlandeze, apo atë që bënë Eagles me muzikën country (popullore) amerikane.

Kënga “Lamtumirë”, është një ndër këngët më të bukura që ishin shkruar deri në atë moment në muzikën shqiptare. Hard rock i versionit më klasik të këtij stili. Një tingull i ri dhe krejt i panjohur për muzikën shqiptare.

“Mos Qaj” është një këngë soft rock, dedikuar një plage të panjohur deri në ato momente nga shqiptarët, viktimave të drogës. Ka qenë emblema e albumit dhe pjesës së parë të karrierës së grupit.

Për të vazhduar me “Izolimi Vdes”, këngë që shpreh optimizmin se shqiptarët nuk do të përjetojnë kurrë më dhimbjet e izolimit komunist. Eshtë një këngë hard rock.

Për të arritur te kënga “Jo tani”. Një ndër këngët më të bukura që janë shkruar ndonjëherë, hard rock, me të njëjtin sound më këngën ‘Lamtumirë’. Një tingull që nuk mund mos të prekte thellë në shpirt të gjithë ata që kishin jetuar vite më parë duke ëndërruar tingullin e ndaluar rock.

“Ëndërra Ime, është kënga më e vjetër e grupit. E shkruar që në vitin ’89-’90. Një këngë soft rock me një “sound” që do të përsëritej edhe te këngë të tjera të grupit si “Kohë pa ty”, kenga më e preferuar e grupit.

Në këngen “Zemërthyeri” spikasin notat e larta e tingulli hard rock. Me përjashtim të këngës ‘Izolimi vdes’, është kënga me nota më të larta nga i gjithë albumi, dhe ka një tekst të mrekullueshëm.

“Melodia e Dhimbjes” është një istrumentale, shumë melankonike dhe, siç e thotë titulli, e dhimbshme. Një melodi që, ndoshta, pasqyron shpirtin e pjesëtarëve të grupit, kushtet në të cilat shkruan dhe momentet që kalonte Shqipëria në vitet ’90. Si i gjithë albumi, transmeton një ndjenjë dhimbjeje shpirtërore. Kjo melodi mbyll një album historik, që do të pasuronte muzikën shqiptare me një sound të ri hard rock.

Një këngë tjetër single e atyre viteve, por që nuk u publikua në asnjërin album është edhe “Në Udhëkryq”. Ishte një këngë shumë e bukur hard rock. Nuk ka qenë kënga më e bukur e Djemve të Detit, por më e bukur se të gjitha këngët që kanë konkuruar në festivalet shqiptare të 20 viteve të fundit.

Të shkruaje rock në Shqipëri nuk pasuroheshe si në Perëndim, ndoshta as nuk mbijetoje. Në këtë mënyrë rrugët e pjesëtarëve të grupit morën drejtime të ndryshme. Grupi asnjëherë nuk u shpërbë zyrtarisht, por pjesëtarët e grupit nuk do të bashkoheshin të gjithë së bashku më kurrë.

Albumi ‘Epos’ dhe ndryshimi i stilit muzikor

Nëse albumi i parë do të ishte një album historik, që do të bënte të njohur grupin me publikun shqiptar, dhe do të sillte në skenën muzikore shqiptare stilin hard rock, albumi i dytë do të ishte një kryevepër rock që do të konfermonte kapacitetin e grupit. Një album që vendoste Djemtë e Detit përfundimisht në elitën e muzikës shqiptare të të gjitha kohërave.

“Epos” është kënga me të njëtin titull që hap albumin. Krijimi më i bukur i këtij grupi të jashtëzakonshëm, dhe si rrjedhojë kënga me e bukur që është shkruar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Zakonisht një këngë apo album rock analizohet për muzikën, rrallë herë për tekstet, por kjo këngë është një kryevepër edhe në këtë aspekt.

Kënga që mbyll këtë album fantastik titullohet ”Djemtë e Detit”. Është një këngë progresive e psychedelic rock. Sigurisht, ndër këngët më rock të krijimtarisë së grupit. Fillon me zhurmën e valëve të detit, sikur djemtë të kenë shkuar për të takuar të atin. Kjo këngë i dedikohet vetë grupit, kohës kur u formua, momenteve që kalonte vendi dhe ikjes në masë të shqiptarëve drejt Perëndimit.


Opinion
Sa herë dëgjon këngët e tyre mbetesh gjithmonë i befasuar, sikur koha mos te ketë kaluar kurrë, sikur të ketë gjithmonë diçka të re, dhe në ato qindra herë që i ke dëgjuar, në mënyrë të mistershme të të ketë ikur pa e vënë re. Historia nuk shkruhet me “sikur”, por sikur Djemtë e Detit të kishin jetuar në një kontekst tjetër, diku në Perëndim, ndoshta nuk do të kishim pasur frikë t’i krahasonim edhe me grupet që përmenda më lart.

Djemtë e Detit kanë qenë muzika e bukur që shkruan, tingulli hard e progresiv rock i kitarës, ka qenë zëri i pakonfondueshëm i Gentian Demaliajt. Djali i Detit që këndonte me zërin e një engjëlli, do të shndërrohej në zërin më të dashur për gjenerata të tëra. Zëri i tij i veçantë, kapaciteti për të kapur notat e larta, bënë një frontman të nivelit të lartë që do t’ia kishin zili edhe Klaus Meine, Axl Rose apo Steven Tyler.

Në kujtesën e gjithë muzikës shqiptare nuk mbahet mend një talent i këtij niveli, që të ndikonte aq shumë në nivelin e një kënge. Më të mirët duket se ikin të parët, por ata mbesin gjithonë me trashëgiminë që lanë pas.

Djemtë e Detit ngjajnë më një kryevepër arti, por e papërfundur. Shkruan muzikën më të bukur të shkruar ndonjëherë në Shqipëri, por shkruan shumë pak për kapacitetin e tyre.

Janë i vetmi grup që solli në muzikën shqiptare pothuajse të gjitha stilet e muzikës rock. Muzikës shqiptare i kanë dhënë atë që askush nuk ia kishte dhënë më parë, dhe ka gjasa që askush nuk do t’ia japë as në të ardhmen. Erdhën pas muzikës së realizmit socialist, ikën para degradimit oriental. Qenë fillimi dhe fundi i muzikës më të bukur që është shkruar ndonjëherë. Alfa e Omega e një kulture që do të kujtohet gjithmonë me nostalgji.

Djemtë e Detit ishin idhujt e rinisë shqiptare të viteve ’90, Kalojnë vitet, muzika, festivalet, çdo gjë konsumohet shpejt dhe e mbulon pluhuri i harresës, por muzika e Djemve të Detit vazhdon t’i rezistojë kohës. Mirënjohje, përulje e falenderim për të gjithë pjesëtarët e Djemve të Detit, për emocionet që na kanë mundësuar të jetojmë.



Related Posts