Kajak N'Drin

Gara me kajak në lumin Drin… Kjo është nisma më e re e bashkisë së Lezhës për të promovuar turizmin në Lezhë.

Sektori i sportit në bashkinë Lezhë organizoi me të rinjtë këtë aktivitet, që tërhoqi vëmendjen e qytetarëve. Ndjesia për ata që e provuan një sport të tillë ishte e jashtëzakonshme.

Edhe pse garuesit nuk ishin profesionistë, e morën shumë seriozisht pjesëmarrjen. Te ardhur edhe nga qytete të tjera, ata kërkuan që kjo të kthehet në një traditë, në Lezhë.

Në garë u bënë pjesë edhe efektivë policie, që mendojnë se mund të jenë nesër pjesë e një ekipi. Gara u ndoq me interes edhe nga qytetarët, të cilët madje kanë menduar edhe blerjen e kajakëve në mënyrë individuale.

Specialistët e sportit në bashkinë Lezhë janë të mendimit se tashmë qytetarët do të mendojnë seriozisht për të lundruar në lumin e tyre. Bashkia e Lezhës synon t’i japë një tjetër nxitje turizmit, duke e bërë lumin Drin të lundrueshëm, e kjo duket se ka nisur.