Ky qytet ka qënë i banuar nga popullsi ilire qysh në shekullin VIII para Krishtit. Emri i tij “Lisso” e “Lissus”, mendohet se janë ngjyrim linguistik i emrit të vjeter ilir “Lisi”.
Zbulimi më i madh arkeologjik i epokës së bronzit, është gjetja në fshatin Torovicë i një thesari prej 120 sopata prej bronzi. Lezha ka funksionuar si qytet bregdetar dhe njëkohësisht si liman lumor, në skajin më jugor të shtetit ilir të Ardianëve dhe spikat për rolin e rëndësishëm në shek. III p.K.
Lezha ishte pikë strategjike për lëvizjen e Flotës Ushtarake Detare Ilire dhe bëhet një qënder e rëndësishme në kohën e sundimit të mbretëreshës ilire, Teuta. Qyteti kishte dy porte, njëri detar, ai i “Nymfeumit”, Shëngjini i sotëm si dhe Porti Lumor, buzë Oldrinit (Drini i sotëm).
Në kohën e mbretit ilir Gent, shek II, fisi ilir i pirustëve përbënte një nga forcat kryesore të tij luftarake kundër romakëve. Për të shuar kryengritjet e pirustëve, sebashku me ushtrin e tij vjen nëpërmjet portit Nymfeum, Perandori Jul Cezari.
Në Lezhë, janë organizuar aktivitete politico-kulturore të nivelit të lartë kombëtar, si: Besëlidhja e Princave (2 mars 1444) ku u themelua shteti i parë mbi bazën e principatave, Kuvendi i Arbërit (14 janar 1703), me nismën e Papës me origjine shqiptare Klementi i XI.
Me 17 janar 1468 në Katedralen e Shën Nikollit në Lezhë u varros heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skenderbeu. Lezha ishte gjithashtu pjesë aktive e lëvizjes për Pavarësi të Shqipërisë nga perandoria osmane në vitin 1912 si dhe pjesë e luftës kundër pushtimit fashist dhe atij nazist 1939 – 1944.