Në Lezhë ndodhen monumente të shumta kulturore, të natyres, objekte kulti, objekte muzeale, arkeologjike dhe historike.
Pastërtia ekologjike e mjedisit tokësor, ujor e ajror, prania floristike me pyje, lëndina e livadhe, fauna e shumëllojshme, klima e përshtatshme e të tjerë faktorë, tregojnë se ekzistojnë të gjitha mundësitë për zhvillimin e një turizmi bashkëkohor dhe të qëndrueshëm me të gjitha llojet e pasurive turistike: detare, lagunore e luginore (luginat e lumenjve) e ndër të tjera turizëm malor. Lezha është vendi ideal ku mund t’i bësh të tëra, në një vend të vetëm.
Disa nga sugjerimet tona:
- Peshkim në det apo në grykëderdhjen e lumit Drin.
- Vrojtim zogjsh në lagunat e Kune–Vainit. Për vizitorët janë ndërtuar tre kulla vrojtimi, një në Kune dhe dy në zonën e Vainit. Ato shërbejnë për të eksploruar zonën si dhe për të vrojtuar shpendët e shumtë.
- Të eksplorosh lagunat e Kune–Vainit për biodiversitetin e tyre, natyrën tërheqëse e çlodhëse si dhe mund të organizoni piknik. Sigurisht që dreka apo darka do të jetë një surprizë më shumë e këtyre pushimeve.
- Të vizitosh “Hotelin e Gjuetisë”, rezidencën e ndërtuar nga Konti Çiano dhe e kthyer në rezidencën kryesore të udhëheqjes në diktaturë. Historia, pamja dhe ambienti janë arsye se përse kjo zonë është e pëlqyeshme edhe sot nga vizitorët.
- Të udhëtosh me skafe drejt “Ranës së Hedhun” për të parë një eksperiencë ndryshe të një prej plazheve më të bukur shqiptarë. Do të mahniteni nga veçoria e këtij bregdeti të Adriatikut, si dhe mund të ndjeni sikur i gjithë plazhi ju përket juve.
- Të vizitosh Memorialin kushtuar heroit kombëtarë Gjergj Kastrioti dhe vendit ku u mbajt Beselidhja e Lezhës.
- Të vizitosh kalanë e qytetit, ku veç historisë do të të mundësohet një peisazh mahnitës që depërton thellë në det, por duke soditur lumin, lagunat, fushat, malet dhe krejt qytetin.
- Mund të vizitoni objektet e shumta të kultit, të cilat përveç vlerave religjioze kanë edhe vlera arkitektonike dhe historike. Disa prej tyre janë unike. (Katedralja e Shën Nikollit në qendër të Lezhës, Xhamia e qytetit, kisha Kisha Ortodokse Metamorfoza në hyrje të qytetit, Teqeja N’Sulti në Malësi të Lezhës, kisha e Shën Eufemisë në Kallmet, kisha e Shën Premtes Balldre, kisha e Shën Barbaras Pllanë, kisha e Zojës Nunciatë themeluar nga Shën Françesku i Asizit, kisha e Martirëve Blinisht etj.).
- Hiking (ngjitje në mal) në malin e Rrencit (Shëngjin) apo në malin e Velës, që do t’u mundësojnë gjatë gjithë rrugës peizazhin natyror që përshkohet nga kaltërsia e detit si dhe histori të jashtëzakonshme.
- Provo kuzhinën vendase. Kulinaria mbetet veçoria e Lezhës turistike. Në Shëngjin, Ishull Lezhë, Zadrimë apo në qytetin e Lezhës do të shijoni pjata të veçanta që do t’u bëjnë të riktheheni sërish.
- Udhëto drejt bregdetit të Tales, për të ndjerë privatësi ndërsa shijon freskinë e detit.
- Vizito punishtet e artizantit “Artistike Zadrima” që ndodhet pranë shkollës së Rogacionistëve në lagjen Besëlidhja, aty ku prodhohet me tezgjah dhe prodhimet e saj janë kryesisht për eksport.
- Vizito fabrikën e prodhimit artizanal të sapunit në qendër të fshatit Blinisht. Janë produkte kurative për lëkurën.
- Vizito poçerinë “Zadrim Art” në fshatin Krajën. Aty ku prodhohet ende me dorë dhe i jepet vlerë traditës së zonës.
- Lundro mes për mes qytetit nëpërmjet lumit Drin. Ky lum përshkon Lezhën në një gjatësi 10 km është shumë i rëndësishëm pasi përdoret edhe për peshkim duke qenë pjesë e rëndësishme e ekonomive familjare të zonës nga ku kalon.